7.7 C
Pristina
Tuesday, March 5, 2024

Buy now

spot_img

“Maratona e Ohrit” përfundon me “Sprintin e Asociacionit”, krejt çka ndodhi dje në Ohër

Si më 27 shkurt ashtu edhe më 18 mars, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ishte “bartës i lajmeve të mira”. Në të dyja rastet, fjalitë hyrëse të deklarimeve të tij pas takimeve trepalëshe ishte se “jam i lumtur të njoftoj se kemi marrëveshje”, shkruan Insajderi.

Pas asaj që u pagëzua si “Maratona e Ohrit” ku negociatat u zhvilluan për gjysmë dite brenda ish-rezidencës verore të diktatorit jugosllav Josip Broz Tito, mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, palët u pajtuan edhe rreth Aneksit të Zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Ishte presidenti serb Vuçiq ai i cili i pari u deklarua për media rreth bisedimeve. Ky i pari ishte “tejet i kënaqur” të njoftonte se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ishte vendosur “si obligim prioritar” në Aneksin e Zbatimit ndonëse vetiu s’kishte nënshkruar asnjë tekst.

“Formimi i Asociacionit u vendos si obligim prioritar. Më duhet të them se për këtë jam i kënaqur. Ka ende bisedime për t’u bërë rreth personave të pagjetur dhe konferencës së donatorëve. Plani gjithsesi se do të azhurnohet”, ka thënë Aleksandar Vuçiq para gazetarëve.

Për t’i rënë borisë së “lajmeve të mira” para orës 23:00 të mbrëmjes, Borrell, doli në konferencë për shtyp ku e dha për punë të kryer pajtimit verbal dhe publik të palëve.

“Djalli thonë se flen në detaje, epo nganjëherë djalli fshihet në kalendar”, tha Josep Borrell, derisa theksin e vuri në zbatimin e kohshëm dhe të sekuencuar të të gjitha pikave të marrëveshjeve.

Por, “më lejoni të futem në specifika se çfarë është pajtuar”, filloi menjëherë Borrell. Kosova, siç lajmëroi ai, brenda takimit ishte pajtuar që “menjëherë” të nis zbatimin e Nenit 7, ku parashihet dhënia dhe sigurimi i një niveli të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb të Kosovës.

“Kur them menjëher them menjëherë”, u kujdes të qartësonte ai.

“Për të zbatuar Nenin 7 të marrëveshjes Kosova është pajtuar që menjëherë të nis, dhe kur them menjëherë them menjëherë, negociatat me Dialogun e Fascilituar nga BE në themelimin e aranzhimeve specifike dhe garancioneve për të siguruar një nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë”, tha Josep Borrell, shkruan Insajderi.

Vetëm mëpastaj u lajmërua edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para gazetarëve, ku foli dhe iu përgjigj pyetjeve të shumta të gazetarëve të cilët po qëndronin në pritje për më shumë se gjysmë dite.

Në Ohër erdhëm me qëllime të mira, tha Albin Kurti.

“Tash kemi arritur një marrëveshje rreth Aneksit të Zbatimit të Marrëveshjes Bazë”, tha ai, duke shtuar se ka edhe disa ankesa sa i përket palës tjetër negociuese.

Ishte Serbia “ajo që i iku nënshkrimit”, tha disa herë Kryeministri i Kosovëws.

“Serbia – njëjtë sikur takimin e kaluar në Bruksel – iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes, dhe tash edhe Aneksit”, tha ai.

Por, ai i bëri thirrje BE-së që “të gjejnë mekanizmat për të bërë këtë marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”.

Në mesnatë, Bashkimi Evropian publikoi Aneksin e Zbatimit për të cilën u pajtuan palët në Ohër, ndërsa në Pikën 5 të Aneksit qëndron çështja e Asociacionit dhe e vetëmenaxhimit për komunitetin serb të Kosovës.

“Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për vendosjen e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut siç përcaktohet nga Lehtësuesi i BE-së”.

Aneksi i plotë i publikuar nga BE:

Dialogu Beograd-Prishtinë: Aneks Zbatues i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Kjo shtojcë përbën një pjesë integrale të Marrëveshjes.

Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe kjo Aneks në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët vënë në dukje se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, Lehtësuesi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe kjo Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe kjo Aneks.

Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për vendosjen e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut siç përcaktohet nga Lehtësuesi i BE-së.

Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.

Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Rendi i paragrafëve të kësaj shtojce nuk cenon rendin e zbatimit të tyre.

Kosova dhe Serbia pajtohen të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i detyrimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Artikuj të ngjashëm

50,000FansLike
- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img