Kryeministri Albin Kurti ka dalë para mediave pas takimit trepalësh të zhvilluar në Bruksel.

“Takimi nuk ka pasur ndonjë rezultat, nuk ka mundur të ketë kompromis sepse nuk mund të ketë kompromis mes propozimit dhe kushtëzimit. Unë kërkova që ta shoh propozimin sepse më tha që ka një të tillë, por nuk ishin në gjendje ta sjellin dhe vetëm pas përfundimit të takimit mu dha një dyfaqësh në anglisht dhe çirilicë që tregon një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që nuk ishte dokument i sekuencimit, por dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të bëhet Asociacioni dhe më pastaj mund të kalojmë në zbatimin e kësaj marrëveshje”, tha Kurti, raporton Gazeta Sinjali.

“M’u desh të themi se nuk jemi në vitin 2013 ku ndodheshin baronesha Eshton dhe kryeministrat e asaj kohe, nuk është marrëveshja e vitit 2013, neni 10 i marrëveshjes bazike thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme që janë të obligueshme janë 29 sosh, por nuk mundet nga neni 10, nga marrëveshjet të vendoset një sikur qerra para kuajve. Unë nuk e kam pranuar”, tha ai, shkruan Gazeta Sinjali.