8.9 C
Pristina
Tuesday, March 5, 2024

Buy now

spot_img

Ish-gruaja e Ivanoviqit thotë se është e turpshme se si akuzohet sekretarja e tij: Ishin si vëlla e motër

Ish-bashkëshortja e Oliver Ivanoviqit, Milena Popoviq ka thënë se e akuzuara Silvana Arsoviq ka qenë si motër për tani të ndjerin Ivanoviq dhe se është turp që ajo gjendet në këtë aktakuzë, si dhe që është padrejtësi e madhe kjo që po ndodh ndaj saj.

Këtë deklarim Popoviq e ka bërë në seancën e të premtes, në gjykimin për vrasjen e Ivanoviqit, ku u dëgjua përmes video-linkut në cilësi të dëshmitares, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me raportin e të ndjerit Ivanoviq me të akuzuarën Arsoviq, dëshmitarja Popoviq tha se të njëjtin kanë pasur raporte si “vëllai me motrën” dhe se e njëjta ka qenë sekretarja e tij dhe absolutisht nuk beson se ajo i ka shkyçë kamerat në ditën kritike. .

Po ashtu, Popoviq deklaroi se personalisht nuk i njeh personat e tjerë të përfshirë në aktakuzë.

Këto deklarime, ajo i ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Burim Çerkini.

Ndër të tjera, ajo tha se një ditë para ditës kritike së bashku me tani të ndjerin Ivanoviq kishin qenë tek një mik dhe se kishin qëndruar deri pas mesnatës.

“Para se me ndodh kemi qenë tek një mik dhe kemi ndejt deri pas mesnatës…kemi ecur rrugëve absolutisht si çdo ditë”, tha Popoviq duke shtuar se ka qenë një ditë e zakonshme.

Po ashtu, ajo tha se është e vërtetë që tani i ndjeri Ivanoviq nuk ka shprehur ndonjë brengë.

“Po të kishte pas vetëm 1% të frikës në atë kuptim, ai djalin tonë më të riun, e kish larguar nga Mitrovica”, tha tutje ajo.

Ndërsa, tha se ajo ka qenë e mendimit që Ivanoviq ta lërë politikën dhe të largohen të jetojnë në Beograd.

“Unë kam qenë kjo që i kam propozu të lërë politikën dhe të largohemi”, tha Popoviq, duke shtuar se ajo se nuk e ka tentuar një ndryshim të tillë për shkaqe të sigurisë, mirëpo për qetësi familjare.

Ndërkaq, prokurori Çerkini e ka pyetur atë edhe në lidhje me intervistat, në të cilat sipas tij Popoviq ka qenë e përfshirë ndër vite.

Një gjë të tillë, ajo e ka pohuar duke thënë se do të vazhdon të flasë deri sa të zbardhet se kush ka gjuajtur tani të ndjerin Ivanoviq.

Popoviq shtoi se asnjëherë nuk ka thënë se e di se kush e ka vrarë Ivanoviqin, duke shtuar se ka thënë se do ta paguajnë të gjithë ata që qëndrojnë prapa kësaj.

Sipas saj, çdo e vërtetë do të zbardhet dhe se kur do që ajo ta kuptojë do e drejtojë gishtin nga ai edhe nëse është vëllai i saj, duke shtuar që ky është një mesazh dhe ta dëgjojnë të gjithë.

Popoviq tha se do të dëshmojë lidhur me këtë rast sa herë që të jetë e nevojshme pasi që për të është shumë e rëndësishme që të zbulohet se kush e ka vrarë Ivanoviqin.

Prokurori Çerkini kërkoi të dijë nga ajo nëse ka ndonjë informacion rreth funksionimit të kamerave në zyrën e Oliverit dhe se çfarë ka ndodhur me ato incizime, e lidhur me këtë Popoviq tha se ka dijeni që kamerat kanë funksionuar gjatë gjithë kohës dhe në ditën kur ka ndodhur vrasja incizimet janë marrë nga EULEX-i ose Policia dhe janë dërguar për ekspertim.

E njëjta theksoi faktin se tani për tani është duke punuar si Sekretare në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit në Qeverinë e re dhe se tani ka hyrë në partinë SNS.

Popoviq tha se ka hyrë me vullnetin e saj të lirë në këtë parti politike, kjo pasi që një kohë ka dashur të angazhohet në sferën politike andaj kjo ka ndodhur me dëshirën e saj pa asnjë kërcënim apo mirënjohje.

Popoviq duke treguar më shumë rreth rastit tha se pas vdekjes së Ivanoviqit në gjësendet personale të të ndjerit ka gjetur një letër të cilën nuk është e saktë nëse e ka shkruar Ivanoviq apo dikush tjetër dhe se këtë letër e njëjta ia ka dorëzuar vëllait të tij Miroslav Ivanoviq.

Ajo gjithashtu theksoi se atë letër i ndjeri ose dikush tjetër e ka shënuar gjatë një dite, kur kohë më parë zyrën e tani të ndjerit Ivanoviq e kishte vizituar Aleksander Shapiq, e që sipas saj atë ditë një veturë shpesh kalonte aty pranë dhe shpesh ishte e parkuar afër zyrës së tani të ndjerit.

Lidhur me këtë, prokurori Çerkini ka thënë se pas verifikimit të targave në atë letër, është vërtetuar që është vetura e tani të akuzuarit Marko Roshiq dhe ka dashur të dijë nëse Popoviq ka insistuar të dijë më shumë rreth kësaj çështje.

Ndërsa, Popoviq tha se në momentin e dorëzimit të asaj letre tek Miroslavi çdo gjë ka përfunduar pasi që këtë punë ia ka lënë atij dhe se pas një kohe ka ndërprerë kontaktin me të dhe nuk ka pranuar asnjë informatë lidhur me këtë çështje.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Roshiq, avokatit Mahmut Halimi, tha se vetura ka qenë e parkuar deri sa në zyrën e Ivanoviq kishte mbledhje.

Tutje, ajo tha se pas një kohe ajo veturë ishte larguar dhe më pas ishte kthyer prapë aty.

Popoviq duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues deklaroi se i nderi Ivanoviq ka qenë i bindur se kamerat kanë funksionuar tërë kohën duke shtuar se nuk ka pasur asnjë person specifik përgjegjës për mirëmbajtjen e tyre pasi që kjo nuk ka qenë e nevojshme.

Për fund, Popoviq tha se qëndron në tërësi pranë deklaratës së dhënë në Polici dhe përmes ndihmës ndërkombëtare.

Ndryshe, gjykatësi Kurtaj tha se edhe seanca e caktuar për 29 maj nuk do të mbahet, pasi që sipas tij kishte qenë e planifikuar që të vazhdohej me dëgjimin e dëshmitares Popoviq, e cila veçse e përfundoi dëshminë e saj në këtë seancë.

Kurse, seancat e radhës u caktuan me 31 korrik, 1 dhe 2 gusht.

Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e fundit të mbajtur me 14 mars Gjykata Themelore në Prishtinë, mori aktvendim që dëshmitarja Milena Popoviq (ish-partnerja e Ivanoviqit), të dëgjohet përmes ndihmës juridike ndërkombëtare (Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar), në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet vete, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhë deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

I pandehuri Nedejlko Spasojeviq, thuhet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarit e panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që fillimisht i njëjti u ka mundësuar të dyshuarve që të lëviznin me veturën zyrtare të policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në drejtim të ndjerit Ivanoviq, e që për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës.

Tutje, thuhet se përveç kësaj i pandehuri Spasojeviq, në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, me dashje dhe dijeni ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që ka lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty, ku edhe kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Ivanoviq.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Spasojeviq, Basara, Bojiç, Veselinoviç, dhe Radoiçiç, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe”, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndejrti Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa Fe”, ngjyrë e zezë. Kjo veturë thuhet se pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllanë e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “Grey” që është pronë e të pandehurit Milan Radoiçiç.

Aktakuza thotë se i pandehuri Rade Basa, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë- Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr nga Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i selektojnë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiçiç, kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste të mos zbardhen dhe të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Për të pandehurën Silvana Arsoviq, thuhet se si anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes të Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyret e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyçur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Ivanoviq. E njëjta thuhet se me datën 16 janar 2018, në ora 08:16, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, i ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP, e cila ka qenë duku punuar si administratore në këto zyra dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Me këtë të pandehurit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga nenin 283, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRPK-së lidhur me veprat penale vrasje e rëndë sipas nenit 179, paragrafi 1.9 të KPRK-së dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 442, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Tutje, aktakuza thotë se i akuzuari Dragisha Markoviq, me datën 16 janar 2019, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën, e cila përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që derisa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Ivanoviq.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

Në vijim thuhet se Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, në datën 16 janar 2018, në cilësi të personave zyrtare, kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes së Ivanoviq, kanë dalë në vendin e ngjarjes, nuk e kanë siguruar mirë vendin e ngjarjes duke lënë persona të tjerë që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njëjtit me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato, ashtu që fillimisht i pandehuri Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës, e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes, e të cilën më pas i pandehuri Jovanoviq e merr, e fut në xhep dhe së bashku me Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, akuzohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje”.

Ndërsa, Jovanoviq, gjithashtu akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi të njëjtit me datën 10 shkurt 2018, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, e kalibrit 7.62 mm, dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje.

Artikuj të ngjashëm

50,000FansLike
- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img