24.7 C
Pristina
Tuesday, July 23, 2024

Buy now

spot_img

Dhoma e Përfaqësuesve do të hapë hetim për gjykimin e Bidenit

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, tha më 12 shtator se ka udhëzuar një komitet të Dhomës që të hapë zyrtarisht një hetim për gjykimin e presidentit Joe Biden, lidhur me marrëveshjet biznesore të familjes së tij.

Njoftimi për nisjen e procedurave, që në anglisht njihet si “impeachment”, vjen para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

McCarthy tha se hetimi i Komitetit për Mbikëqyrje i Dhomës së Përfaqësuesve deri tani ka gjetur një “kulturë korrupsioni” përreth familjes Biden, përderisa republikanët po hetojnë marrëdhëniet se si ka bërë biznes djali i presidentit, Hunter Biden, para se Joe Biden të merrte detyrën e presidentit.

“Këto janë pretendime për shpërdorim të pushtetit, pengim dhe korrupsion dhe ato kërkojnë një hetim të mëtejmë nga Dhoma e Përfaqësuesve”, tha McCarthy, republikan nga Kalifornia.

“Prandaj unë po e udhëzoj Komitetin e Dhomës për të hapur një hetim zyrtar për shkarkimin e presidentit Joe Biden”, shtoi ai.

Njoftimi i bërë nga McCarthy vjen në kohën kur ai po përballet me presion në rritje nga krahu i djathtë i partisë së tij që të ndërmarrë veprime ndaj Bidenit.

McCarthy pritet të ketë disa takime gjatë kësaj jave me ligjvënësit, përfshirë edhe takime prapa dyerve të mbyllura për të diskutuar për shkarkimin e Bidenit.

Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar njoftimin për nisjen e hetimit si proces të motivuar politikisht.

“Kryetari McCarthy nuk duhej të binte nën presionin e anëtarëve të së djathtës, të cilët po kërcënojnë me mbylljen e Qeverisë nëse nuk nis gjykimi, pa prova, ndaj presidentit Biden. Pasojat për popullin amerikan janë shumë serioze”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ian Sams.

Hapja e hetimit për gjykim ndaj Bidenit, vjen në kohën kur ish-presidenti republikan, Donald Trump – i cili dy herë u gjykua por u lirua nga akuzat nga Senati – po përballet me akuza serioze në gjykata. Vetëm gjatë këtij viti, Trump, që po ashtu është kandidat për president, është përballur me katër akuza. Ndër akuzat që rëndojnë ndaj Trumpit është edhe ajo se ai tentoi të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat Biden i fitoi.

Çfarë është “impeachment”?

Procedura për shkarkimin e presidentit që në anglisht njihet si “impeachment” do të thotë të ngresh akuza në Kongres, që do të përbëjnë bazën për gjykim.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara thotë se një president largohet nga detyra për “tradhti, ryshfet, shkelje të rëndë ose kundërvajtje të tjera”.

Procedura për shkarkim zhvillohet në dy faza. Nis me seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, nëse miratohet me shumicë të thjeshtë, procesi kalon në Senat, ku edhe mbahet gjykimi.

Në Senat, pastaj, duhen dy të tretat e votave për largimin e presidentit nga detyra dhe një gjë e tillë nuk është arritur kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara./REL/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img