Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve të reja duhet të shmanget, duke theksuar se prioritet duhet të jetë stabiliteti institucional dhe adresimi i sfidave ekonomike me të cilat përballen qytetarët.
Përmes një reagimi publik, Rukiqi tha se vendi po kalon një periudhë të vështirë dhe se gjendja ekonomike vazhdon të përkeqësohet.
“Zgjedhjet duhet të shmangen, jo për hir të këtij apo atij subjekti politik, por për hir të qytetarëve. Shoqëria jonë po kalon një periudhë të rëndë, ndërsa gjendja ekonomike vazhdon të përkeqësohet. Në vend të një tjetër cikli zgjedhor që do ta thellonte pasigurinë dhe ndarjet, vendi ka nevojë për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe fokus të plotë në adresimin e sfidave që prekin jetën e përditshme të qytetarëve”, ka deklaruar Rukiqi.
Ai shtoi se vazhdimi i takimeve ndërmjet akterëve politikë, me synim shmangien e zgjedhjeve dhe arritjen e një marrëveshjeje, është zhvillim pozitiv.
“Në këtë frymë, vazhdimi i takimeve me synimin për të shmangur zgjedhjet dhe për të gjetur një marrëveshje, është një lajm i mirë për qytetarët”, ka theksuar Rukiqi.





