Kryeministri, Edi Rama, ka nisur këtë të enjte, më 16 prill, vizitën e tij të punës në Romë. Ai u prit me ceremoni zyrtare nga Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në Pallatin Chigi, rezidenca zyrtare e qeverisë italiane, me të cilën zhvilloi më pas një takim kokë më kokë, me fokus ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, thellimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe çështjet me interes të përbashkët rajonal dhe evropian.
“Romë – Ceremonia zyrtare e pritjes nga Kryeministrja e Republikës së Italisë, Giorgia Meloni”, shkruan Rama.
Gjatë qëndrimit në Itali, Rama do të ketë edhe një takim me Ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto, për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Vizita e tij është pjesë e një turi ndërkombëtar, që do të vijojë më 18 prill në Barcelonë, ku ai do të marrë pjesë në Samitin “Në Mbrojtje të Demokracisë”, me ftesë të kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez.
Në Barcelonë, Rama do të diskutojë mbi sfidat e dezinformimit dhe rolin e teknologjisë digjitale, si dhe mbi forcimin e institucioneve demokratike e multilateralizmit. Ai do të zhvillojë takime bilaterale me kryeministrin Sanchez dhe Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.





