Një gjest i rrallë ndershmërie është shënuar sot në Ferizaj, ku një qytetare ka gjetur një portofol me para dhe e ka dorëzuar menjëherë në stacionin policor.
Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, më 11 maj 2026, rreth orës 16:55, qytetarja me inicialet A. Mehmeti (43), mësimdhënëse nga Ferizaj, ka gjetur një portofol me një shumë të konsiderueshme parash në afërsi të rrugës “Agim Matoshi”.
Pa vonesë, ajo e ka dorëzuar portofolin në polici, duke treguar shembull të lartë përgjegjësie dhe integriteti qytetar.
Pas marrjes së rastit, hetuesit policorë kanë dalë në terren për të verifikuar kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e pronarit.
Më vonë, në stacionin policor është paraqitur qytetarja L.K. (22), me banim të përkohshëm në Gjermani, e cila ka raportuar humbjen e portofolit.
Pas verifikimeve të kryera, policia ka konfirmuar pronësinë dhe i ka kthyer asaj portofolin dhe shumën prej 2030.85 euro.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar publikisht qytetaren A. Mehmeti për gjestin e saj, duke e vlerësuar si shembull të ndershmërisë dhe forcimit të besimit mes qytetarëve dhe institucioneve.





