3.3 C
Pristina
Thursday, December 5, 2024

Buy now

spot_img

Qytetari alarmon vendin për masakër me dy të vrarë, telefonata rezulton false

Gjithë policia e Korçës ka përfunduar në një zonë të thellë të këtij rrethi pas një telefonate që lajmëronte për një krim të disafishtë. Sapo janë marrë masat dhe është përgatitur grupi që do të paraprinte për në vendin e ngjarjes, telefonuesi ka mbyllur telefonin dhe është zhdukur në drejtim të paditur. Alarmi i madh tronditi mbarë vendin ndërsa njëherë flitej për dy të vdekur dhe më pas për tre të vdekur dhe katër të plagosur.
Policia e Shtetit ishte tejet e rezervuar në lidhje me dhënien e informacioneve që kishin marrë nga telefonata në sallën operative ndërsa informacione të ndryshme nga zona tregonin se ka ndodhur një betejë e fuqishme me armë mes dy grupesh të drogës që sundojnë zonën. Mirëpo në vendin, ku pretendohej se kishte ndodhur krimi i rëndë kanë shkuar edhe mediat lokale duke qenë thuajse të njëkohshëm me policinë.
Ka nisur krehja e zonës ndërsa autoritetet lokale kanë mohuar të ketë pasur shkëmbim zjarri dhe aq më pak të vdekur dhe të plagosur. Atëherë policia ka marrë nën kontroll zonën, ka bërë verifikimet e mundshme dhe mësohet se pritet të ndërhyjë për gjatë ditës së sotme në zona ku pretendohet se është e mbushur me bimë narkotike.

Policia zyrtarisht nuk ka bërë me dije asnjë fakt tjetër pos fakti që telefonata ka qenë alarm i rremë dhe se është identifikuar personi dhe numri i celularit nga ku është dhënë sinjali. Deri orëve të vona të mbrëmjes nuk është bërë me dije emri i personit që alarmoi jo vetëm Policinë e Korçës, por mbarë vendin, pasi lloji i informacionit që përcolli ishte një panik i madh në këtë kohë frike dhe pasigurie.
Telefonata
Ishte ora rreth 16.00 kur në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Korçës mbërrin një telefonatë e një qytetari i cili lajmëronte se në Voskopojë ka ndodhur një masakër. Madje në zonën e Lekasit, janë dy të vrarë dhe disa persona të plagosur nga një përplasje me armë mes dy palëve. Policia ka nisur menjëherë punën për të hartuar planin operacional për të ndërhyrë në atë zonë masakre, ndërsa më pas është tentuar të krijohet lidhje sërish me telefonuesin. Ka qenë e pamundur. Atëherë kanë nisur edhe dyshimet e para, por meqë zona është e thellë, mësohet se asnjë kompani celulari nuk e mbulon si duhet.
Për më shumë se dy orë ka vijuar misteri i madh i masakrës në Lekas, ndërsa më pas policia ka mësuar se ka qenë një alarm fals. Zyrtarisht asnjë e dhënë konkrete nuk e pasoi ngjarjen e alarmuese ndërsa “Shekulli” mbërrin në zonën e lajmëruar si një vendmasakër me disa të vdekur. Në disa kryqëzime rrugësh, policia kishte ngritur postblloqe ndërsa gazeta arriti të bisedonte me banor të zonës të cilët pak a shumë kanë shpjeguar se cili mund të ketë qenë motivi i asaj telefonate, motiv që policia në fakt ka refuzuar ta pranojë edhe pse ka qenë e pranishme teksa banorët e aty fshatrave kanë thënë të vërtetën e përditshmërisë së tyre, por duke iu premtuar ruajtjen e anonimatit, pasi për shkak të identifikimit atyre mund t`iu rrezikohej edhe jeta.

Rrëfimet arsyetuese
“Kjo zonë është e gjitha e tejmbushur me kanabis sativa. Thuajse të gjithë ata që kanë qenë të zottë kanë mbledhur ndërsa edhe e ruajnë dhe i shërbejnë me fanatizëm. Besoj se telefonuesi ka qenë ose ndonjë rival i ndonjë grupi, ose ndonjë dëshmitar që ka mësuar ndonjë gjë dhe është kërcënuar. Për të bërë të mundur shpëtimin e tij dhe të familjes së tij, se këta të kërcënojnë me familje, ai duhet të ketë dhënë këtë lajm me qëllim që të vijë policia dhe të ndërhyjë në zonë për të bërë të mundur shpëtimin e tij.
Por ka edhe një mundësi tjetër, që të jetë ndonjë person që ia do të mirën fshatit të vet dhe ka alarmuar policinë që të vijnë dhe ta korrin këtë burim krimi, që në fakt, policia ende nuk ka ardhur asnjë ditë. Sot është hera e parë që i shohim”. Kështu tregon një prej banorëve të zonës ndërsa refuzon të identifikohet. Ai pranon se çdo natë në zonë dëgjohen të shtëna armësh, fakt që e mohon policia ndërsa tashmë prite që andej të nis edhe një mësymje e policisë për të bërë të mundur pastrimin e gjithë krahinës nga parcelat me kanabis. Banorët e zonës pranojnë se bëhet fjalë për një sërë parcelash, ndërsa asnjë e dhënë konkrete nuk jepet për punën e bërë ditën e djeshme në atë zonë nga ku erdhi telefonata shokuese për një masakër me dy të vrarë dhe disa të plagosur.
Operacioni vazhdon
Policia e Shtetit vijon aksionin e asgjësimit të kanabisit në të gjithë vendin. Aksioni është shtrirë ditën e sotme në Shkodër, Memaliaj, Mat, Gjirokastër, Krujë, Poliçan dhe Bulqizë ku janë asgjësuar 42208 rrënjë kanabis sativa. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve. Në vijim të operacionit të Dukagjinit, policia e Shkodrës ka asgjësuar mëngjesin e sotëm 27 parcela me një numër prej 14718 rrënjë kanabis sativa. Bimët janë gjetur në njësitë administrative Shosh e Shalë. Gjatë kontrollit në këto zona u sekuestrua gjithashtu edhe një armë zjarri (pushkë).
Ndërsa në Memaliaj janë asgjësuar nga policia rreth 2800 rrënjë kanabis sativa. Përkatësisht 800 bimë janë asgjësuar në vendin e quajtur “Qafa e Ujkut”, Memaliaj. Ndërsa 2000 rrënjë të tjera u gjetën dhe u asgjësuan në vendin e quajtur “Përroi i Dokaj”, Luftinjë 2 , Memaliaj. Policia ka asgjësuar në Gjirokastër në vendin e quajtur “Ferrat e Hankos”, në Malin e Sopotit 286 rrënjë kanabis sativa. Gjithashtu u sekuestrua një armë zjarri automatik model 56. Bimët u asgjësuan në vend me anë të djegies, sakaq policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img