5 C
Pristina
Wednesday, December 11, 2024

Buy now

spot_img

Parlamenti Evropian kërkon njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së

Parlamenti Evropian, nëpërmjet një projektrezolute kërkon njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, derisa nga Qeveria e Kosovës kërkon të fillojë menjëherë me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së.

Po ashtu në këtë projektrezolutë për Kosovën, të cilën duhet ta miratojë Këshilli për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, thuhet se formimi i Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e vendit. Në projektrezolutën, e cila më pas duhet të miratohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian, thuhet se ende nuk ka filluar as hartimi i Statutit të AKS-së.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, deputetja austriake, Ulrike Lunaçek, e ka hartuar raportin në bazë të të cilit edhe është bërë projektrezoluta.

Në këtë projektrezolutë ftohen sërish pesë vendet e Bashkimit Evropian që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë sa më shpejt, pasi kjo do t’i kontribuonte normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, raporton B92, transmeton RTK.

Po ashtu në projektrezolutë urgjentisht kërkohet që udhëheqja e komunitetit serb në Kosovë pozitën dhe rolin vet ta ndërtojë krejtësisht në institucionet e Kosovës, të ndahet nga Beogradi dhe të punojë në mënyrë konstruktive në të mirë të gjithë popullatës së Kosovës.

Në dokumentin për të cilin po debatohet në Këshillin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, shfaqet brengosje për praninë e strukturave paralele serbe dhe kërkohet heqja e tyre. Eurodeputetët ftojnë palët e interesuara të gjejnë zgjidhje të pranueshme e të kënaqshme për ndërmarrjen Trepça.

Ata shfaqin kënaqësinë për marrëveshjen Kosovë – BE për MSA-në, derisa theksojnë se është brengosës fakti që në parlamentin e Kosovës nuk është miratuar Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi.

Në projektrezolutë thuhet se liberalizimi i vizave në BE për qytetarët e Kosovës mund të pritet vetëm pasi institucionet në Kosovë të përmbushin edhe këtë kusht të mbetur. Kushti tjetër për liberalizim është që të ketë rezultate të kënaqshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Krijimi i Gjykatës Speciale në këtë projektrezolutë shihet si hap vendimtar në garantimin e drejtësisë dhe pajtimit. Gjithashtu mirëpritet fakti se Kosova ka marrë statusin e vëzhguesit në Këshillin e Evropës dhe i bëhet thirrje Serbinë që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare dhe rajonale.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img