OVL-UÇK kërkon amendament për ndalimin e rihapjes së rasteve të gjykuara nga TPNJ, UNMIK-u dhe EULEX-i

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfshihet një amendament që ndalon rihapjen e çështjeve për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore, për të cilat është marrë vendim përfundimtar nga organet kompetente të drejtësisë.

Në kërkesën e saj, OVL-UÇK-ja propozon që amendamenti të përcaktojë qartë se nuk mund të rihapen procedurat për çështje që janë shqyrtuar dhe gjykuar përfundimisht nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), UNMIK-u, EULEX-i apo gjykata të tjera kompetente.

Sipas organizatës, një garanci e tillë është e domosdoshme për respektimin e parimit ne bis in idem, sipas të cilit një person nuk duhet t’i nënshtrohet procedurave penale të përsëritura për të njëjtat fakte dhe rrethana, për të cilat ekziston një vendim përfundimtar.

“Ndryshimi i cilësimit juridik apo i formulimit të një akuze nuk mund të përdoret si bazë për të ricikluar të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore që tashmë janë shqyrtuar dhe janë bërë objekt i një vendimi përfundimtar”, thuhet në kërkesë.

OVL-UÇK-ja e ka lidhur këtë kërkesë me rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara, duke pretenduar se ata janë shpallur fajtorë në shkallën e parë për çështje që, sipas organizatës, janë trajtuar më herët në procese të ndryshme gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare.

Organizata u ka bërë thirrje deputetëve që këtë çështje ta adresojnë përmes një dispozite të veçantë në kuadër të ndryshimeve ligjore, me synimin për të garantuar sigurinë juridike, barazinë para ligjit dhe të drejtën për një proces të drejtë.

OVL-UÇK-ja ka kërkuar që amendamenti të trajtohet me “seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme” dhe të përfshihet në projektligj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img