Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se vendimi për ta mandatuar Glauk Konjufcën si kandidat për kryeministër ka ardhur pasi është bindur se ekzistojnë gjasa reale për formimin e qeverisë.
Në një konferencë për media, Osmani tha se pas takimit me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me mandatarin Konjufca, ka marrë garanci se ata kanë besim të plotë se do të sigurojnë shumicën e nevojshme në Kuvend.
“VV dhe Glauk Konjufca që sapo përfundova takimin me ta kanë besim të plotë që mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat, mua më takon që të bindem që kanë gjasa, dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa, ashtu sic kërkohet nga aktgjykimi i Kushtetueses. Sikur mos të kishte fare propozim do të kishim një situatë krejt tjetër”, përfundoi Osmani në një konferencë për media.





