Parandalimi i sëmundjeve kronike mbetet një nga sfidat më të mëdha për sistemin shëndetësor në Kosovë, sidomos kur bëhet fjalë për sëmundjet kardiovaskulare, diabetin dhe sëmundjet malinje. Ekspertët vlerësojnë se shumë prej këtyre sëmundjeve mund të parandalohen përmes ndërhyrjeve të njohura si “Best Buys”, të cilat konsiderohen masa efektive dhe me kosto të përballueshme për mbrojtjen e shëndetit publik.
Por sa po zbatohen këto masa në Kosovë, cilat janë sfidat kryesore dhe çfarë ndikimi kanë ato në jetën e qytetarëve për këto çështje Radio Kosova, ka zhvilluar intervistë me Drejtoreshën e Departamentit të Mjekësisë sociale në IKSHPK Prof. Dr. Merita Koçinaj-Berisha.
Radio Kosova: Çfarë nënkupton koncepti “Best Buys” në parandalimin e sëmundjeve kronike?
Dr. Koçinaj-Berisha: “Best Buys” janë ndërhyrje të bazuara në evidencë që synojnë kontrollin dhe parandalimin e faktorëve të rrezikut për sëmundjet jo-ngjitëse (SJN). Ato zbatohen si në nivel individual ashtu edhe në nivel të popullatës, me qëllim përmirësimin e shëndetit publik përmes masave efektive dhe me kosto të përballueshme.
Radio Kosova: Cilat janë sëmundjet dhe shkaqet më të shpeshta në Kosovë?
Dr. Koçinaj-Berisha: Edhe në Kosovë si në shumë vende të zhvilluara, shkaqet kryesore të vdekjeve janë sëmundjet jo ngjitëse, në mesin e të cilave prijnë sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut si dhe sëmundjet malinje.
Radio Kosova: Cilat janë ndërhyrjet kryesore “Best Buys” që rekomandohen ndërkombëtarisht për parandalim?
Dr. Koçinaj-Berisha: Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “Best Buys” përfshijnë masa kundër përdorimit të duhanit dhe alkoolit, promovimin e ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik, si dhe ndërhyrje klinike parandaluese.
Masat në nivel popullate përfshijnë hartimin dhe zbatimin e ligjeve, taksave, programeve parandaluese, zvogëlimin e përdorimit të kripës dhe sheqerit, vaksinimin kundër HPV-së dhe zhvillimin e protokolleve klinike për SJN-të.
Në nivel individual fokusi është në edukimin shëndetësor, rritjen e vetëdijes, këshillimin motivues dhe promovimin e zbulimit të hershëm të sëmundjeve. Këto realizohen përmes fushatave ndërgjegjësuese, trajnimeve, punës me media dhe komunitetin.
Ndërhyrjet përfshijnë të gjitha nivelet e parandalimit: parandalimin primar përmes promovimit të shëndetit, sekondar përmes depistimit dhe diagnostikimit të hershëm, terciar përmes rehabilitimit, si dhe parandalimin kuaternar për shmangien e analizave dhe trajtimeve të panevojshme.
Radio Kosova: Sa po zbatohen këto masa në Kosovë dhe cilat janë rezultatet konkrete sipas të dhënave të fundit?
Dr. Koçinaj-Berisha: Në Kosovë, këto masa zbatohen pjesërisht dhe jo gjithmonë në mënyrë të qëndrueshme. Sfidat kryesore lidhen me mungesën e burimeve financiare dhe njerëzore, kapacitetet e kufizuara të kujdesit parandalues dhe vështirësitë në ndryshimin e sjelljeve të popullatës.
Një shembull pozitiv është Ligji për Kontrollin e Duhanit, i harmonizuar me standardet evropiane. Pas hyrjes në fuqi të tij është shënuar ulje e pirjes së duhanit tek të rinjtë, ndalim i reklamimit të duhanit dhe rritje e aktiviteteve vetëdijesuese.
Në kujdesin parësor shëndetësor ofrohen këshillime motivuese për pacientët me SJN, por sjelljet e pashëndetshme vazhdojnë të mbeten të përhapura. Pacientët kanë shprehur nevojën për më shumë aktivitete fizike të organizuara dhe programe për ndërprerjen e duhanit.





