Ish-kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Klinës, Lulzim Dragidella, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.
Ai ka bërë me dije se këtë vendim e ka marrë pas një procesi të gjatë mendimesh, analizash dhe betejash të brendshme politike.
Në profilin e tij në “Facebook”, Dragidella ka treguar në detaje arsyet e largimit.
Sipas tij, në partinë e Albin Kurtit demokracia e brendshme është zbehur deri në zhdukje
“Gjatë viteve të fundit, një element themelor që e bëri këtë lëvizje të fuqishme – demokracia e brendshme – është zbehur deri në zhdukje. Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij. Në terren, sidomos në zona si Klina, kam parë një braktisje të angazhimit real me qytetarët. Struktura lokale shpesh lihet pas dore, njerëzit që japin kohën dhe mundin e tyre injorohen, ndërsa kontributet e sinqerta nuk vlerësohen. Kam parë shokë dhe kolegë që janë zhgënjyer deri në heshtje, sepse zëri i tyre nuk gjen hapësirë”, ka shkruar Dragidella.





