FSK-ja drejt ushtrisë, por pa spital ushtarak

Ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po i afrohet fazës përfundimtare të transformimit në ushtri me kapacitete të plota, një boshllëk thelbësor vazhdon të mbetet: mungesa e një spitali ushtarak.

Dy vjet para përmbylljes së këtij procesi, pjesëtarët e FSK-së detyrohen ende të kërkojnë trajtim jashtë strukturave ushtarake për raste më serioze shëndetësore.

“Kur kemi nevojë për trajtim më të avancuar, shkojmë në spitale publike ose private”, thotë për Radion Evropa e Lirë një pjesëtar i FSK-së, në kushte anonimiteti.

Ai shpjegon se ndihma e parë dhe shërbimet bazike ofrohen brenda kazermave, ndërsa Qendra e Mjekësisë në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë mbetet struktura më e avancuar mjekësore brenda forcës.

Pjesëtarë të FSK-së në kazermën "Adem Jashari".
Pjesëtarë të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”.

Megjithatë, për raste më serioze, opsionet janë të kufizuara.

“Mungesa e një spitali ushtarak është temë që diskutohet shpesh mes nesh, sidomos për raste afatgjata apo më të rënda”, shton ai.

Kapacitetet në rritje, infrastruktura në ngecje

Transformimi i FSK-së në ushtri, i nisur në vitin 2018, parasheh që deri në vitin 2028 kjo forcë të ketë mbi 7.500 pjesëtarë, përfshirë 5.000 trupa aktive – një objektiv që, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, tashmë është arritur.

Ky transformim përfshin jo vetëm rritjen e numrit të ushtarëve, por edhe ngritjen e kapaciteteve të reja operative, si: armatim, trajnime dhe pjesëmarrje në misione ndërkombëtare.

Por, ndërsa kapacitetet ushtarake rriten, infrastruktura mbështetëse duket se nuk ndjek të njëjtin ritëm.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë se FSK-ja po zhvillon kapacitetet e saj mjekësore sipas modelit të sistemit mjekësor ushtarak amerikan, por nuk ofron më shumë detaje.

“FSK-ja ka një qendër mjekësore, e cila ka kapacitete të ofrimit të shërbimeve të mjekësisë primare dhe disa shërbimeve specialistike”, thotë ai, duke shtuar se qendra ka edhe një hapësirë infrastrukturore për hospitalizim.

Disa automjete të FSK-së shihen duke udhëtuar përmes një rruge diku në Kosovë.
Disa automjete të FSK-së shihen duke udhëtuar përmes një rruge diku në Kosovë.

Për ish-komandantin e FSK-së, Kadri Kastrati, ndërtimi i një spitali ushtarak në këtë fazë të zhvillimit të forcës është i domosdoshëm.

“Shteti duhet t’i avancojë shërbimet mjekësore, sikurse që i kanë vendet e rajonit dhe ato evropiane”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Qendra Mjekësore në Kazermën “Adem Jashari” është ndërtuar pikërisht me idenë që në të ardhmen të shndërrohet në spital ushtarak.

Infrastruktura bazë ekziston, porse mungojnë investimet në personel dhe pajisje.

“Kjo mund të realizohet nëse ekziston vullnet politik”, shton Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Eksperti i sigurisë, Ismet Ibishi, i cili ka shërbyer edhe si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, thotë se spitali ushtarak është standard i një ushtrie moderne.

Sipas tij, prania e personelit mjekësor në operacione ushtarake është thelbësore, jo vetëm për trajtime, por edhe për rritjen e sigurisë dhe moralit të trupave.

“Edhe në ushtrime ushtarët mund të lëndohen, e aq më tepër në zona lufte”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Një pjesëtar i FSK-së merr pjesë në stërvitjen ushtarake "Shigjeta e Ujkut", më 28 tetor 2025.
Një pjesëtar i FSK-së merr pjesë në stërvitjen ushtarake “Shigjeta e Ujkut”, më 28 tetor 2025.

Kapacitetet ekzistuese dhe sfidat teknike

Sipas ish-drejtorit të Qendrës Mjekësore të FSK-së, Shkëlzen Sylaj, objekti aktual në Kazermën “Adem Jashari” ka hapësirë dhe mundësi për rreth 60 shtretër, por mbetet i paplotësuar me pajisje moderne dhe staf të specializuar.

Ai përmend nevojën për aparatura të ndryshme, si rezonancë magnetike, CT skaner dhe laboratorë të avancuar, si dhe për staf të organizuar në shërbim 24-orësh.

“Sistemi spitalor nënkupton shërbim 24 orë, dhe për këtë duhen disa specialistë për secilin profil”, thotë Sylaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se Kosova ka kuadro të mjaftueshme mjekësore – nga ortopedët, internistët, kardiologët e deri tek oftamologët – por se funksionalizimi i një spitali ushtarak kërkon kosto të lartë dhe strukturë të re organizative.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img