Federata e Futbollit të Kosovës ka vendosur ta shkarkojë selektorin e deritashëm, Alain Giresse.
Trajneri francez e pati sot një takim me krerët e futbollit kosovar në zyrat e FFK-së, ku edhe iu kumtua vendimi.
Fatale për Giresse ishte humbja shokuese nga Bjellorusia, e pësuar mbrëmë në Hungari, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.
Më saktësisht, dështimet e njëpasnjëshme të “Dardanëve” në këtë kampanjë eliminatore u akumuluan dhe e shtynë FFK-në ta marrë vendimin për t’u ndarë me selektorin.
Kosova i ka tri barazime e një humbje në katër ndeshje të zhvilluara në Grupin I, të cilat e kanë lënë në vendin e parafundit në tabelë me tri pikë dhe me shumë pak gjasa, mos të themi pa gjasa, për ta realizuar ëndrrën – kualifikimin në Euro 2024.





