Besnik Osmani, që ishte kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për komunë të Fushë Kosovës, ka reaguar pas numërimit të 100% të votave në këtë qytet, duke falënderuar qytetarët e kësaj komune, që i kanë qëndruar ‘’pranë në këtë rrugëtim të bukur e plot emocione’’.
Osmani, në reagimin e tij ka uruar kundërkandidatin e tij, Valon Prebreza të Vetëvendosjes për fitoren, duke u shprehur ‘’me dëshirën të punojnë me ndershmëri, përkushtim dhe rezultate’’.
Postimi:
Të dashur qytetarë dhe miq të Fushë Kosovës,
Nga zemra ju falënderoj secilin prej jush që më qëndroi pranë në këtë rrugëtim të bukur e plot emocione.
Kjo garë ishte më shumë se një proces zgjedhor – ishte një udhëtim bashkë me njerëzit që duan përparim dhe më shumë dashuri për komunën tonë.
Edhe pse nuk arrita të fitoj për ta udhëhequr Fushë Kosovën, ndihem thellësisht mirënjohës për përkrahjen, besimin dhe përkushtimin tuaj të sinqertë.
Jam krenar për çdo aktivist, çdo familje dhe çdo qytetar që kontribuoi me shpirt e zemër.
Uroj me sinqeritet fituesit e zgjedhjeve – me dëshirën që të punojnë me ndershmëri, përkushtim dhe rezultate që do t’i ndiejnë qytetarët në përditshmërinë e tyre.
https://www.facebook.com/share/p/1HEdLLDZjD/?mibextid=wwXIfr





