Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Policia e Kosovës dhe Drejtoria e Inspektoratit të Komunës së Prishtinës zhvilluan sot një takim të përbashkët për të koordinuar veprimet kundër shitjes dhe therjes ilegale të kafshëve dhe shpezëve.
Autoritetet theksuan se ky aktivitet paraqet një rrezik të madh për shëndetin publik.
Sipas njoftimit të përbashkët, institucionet janë dakorduar të forcojnë bashkëpunimin dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe të ashpra ndaj çdo individi ose biznesi që merret me aktivitete të paligjshme në këtë fushë.
Po ashtu, u është bërë thirrje publike të gjithë individëve dhe subjekteve ekonomike që merren me shitjen dhe therjen ilegale të kafshëve dhe shpezëve që t’i ndërpresin menjëherë këto veprimtari.
“Çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ndaj shkelësve do të merren masa të rrepta ligjore. Gjithashtu, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të kësaj veprimtarie ilegale”, thuhet në njoftim.





