Ish-kryetari i Degës së Lidhja Demokratike e Kosovës në Podujevë, Agim Veliu, ka refuzuar publikisht të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit, duke drejtuar akuza të ashpra ndaj lidershipit aktual të partisë, njofton PrishtinaPress.
Në një reagim të gjatë publik, Veliu tha se ndjen obligim moral dhe politik për të falënderuar anëtarësinë e LDK-së për mbështetjen ndër vite, por theksoi se nuk mund të bëhet pjesë e një projekti që, sipas tij, po e largon partinë nga identiteti i saj institucional dhe shtetndërtues.
Ai kritikoi ashpër atë që po promovohet si “Bashkimi i madh” brenda LDK-së, duke thënë se në këtë proces po rikthehen dhe promovohen njerëzit që më parë ishin anatemuar dhe larguar nga partia.
Sipas Veliut, para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 ai kishte shprehur gatishmërinë për të kandiduar për deputet, por kandidatura e tij ishte refuzuar me arsyetimin se ishte “vendim i shefit të madh”, duke aluduar në kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Ndërsa sot e njëjta kryesi, me bekimin e shefit, më paska propozuar të jem në listën e kandidatëve për deputetë. Madje pa më kontaktuar dhe pa më konsultuar fare”, shkroi ai.
Veliu deklaroi se nuk po largohet nga LDK-ja, të cilën e konsideron pjesë të jetës së tij politike që nga themelimi, por tha se partia duhet të çlirohet nga “mentaliteti i OJQ-izimit politik” dhe të rikthehet në rolin e saj historik si forcë shtetformuese.
Në fund të reagimit, ai theksoi se “LDK është më e madhe se interesat meskine të dy njerëzve”, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Zoti e ruajt LDK-në!”.





