7.7 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

Buy now

spot_img

12 muaj burgim me kusht personit që falsifikoi vota të cilat iu shtuan Meliza Haradinajt dhe Haxhi Shalës

Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 12 muaj burgim me kusht i akuzuari për falsifikim të votave, Granit Halilaj.

Bashkë me të, në këtë rast po akuzohen edhe ish-deputeti Haxhi Shala, Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Përparim Përvetica, Ilirjan Hysenaj dhe Dardan Gashi.

Shpallja e aktgjykimi ndaj të akuzuarit Halilaj, u bë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi i rastit Vesel Ismaili.

“Trupi gjykues pas përfundimit të seancës së shqyrtimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë konform nenit 358, paragrafit 1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, në emër të popullit shpall këtë aktgjykim ndaj të akuzuarit Granit Halilaj me shënime personale si në shkresat e lëndës për veprën falsifikim i rezultateve të votimit nga neni 216, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të njëjtin e shpall fajtor dhe e dënon me dënim burg me kohëzgjatje prej 12 muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër penale gjatë periudhës kohore prej 12 muajve të verifikimit”, tha gjykatësi Ismaili.

Po ashtu, gjykata i shqiptoi Halilajt edhe dënimin plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike dhe në shërbimet pjublike” për një vit nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Gjithashtu, i akuzuari Halilaj u obligua të paguajë shpenzimet procedurale sipas përllogaritjes përfundimtare që do të bëjë gjykata. Në fund, gjykatësi Ismaili njoftoi të akuzuarin edhe për të drejtën e ankesës në afat prej 30 ditësh.

I pranishëm në shpalljen e aktgjykimit ishte vetëm mbrojtësi i Halilajt, avokati Flamur Bllacaku.

Ndryshe, në seancën e 13 nëntorit 2023 gjykata kishte veçuar procedurën penale ndaj Halilajt dhe Dardan Gashit, pasi që të dy kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, kurse ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt, po vazhdon procesi gjyqësor.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit, të cilët akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit iu shtuan vota ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidatit për deputet, Haxhi Shala./BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img